Hapësire reklamuese

Aktualitet

Bllokimi i Aeroportit të Vlorës, Pacolli: Drejtësia do të triumfojë në fund

Shkruar nga Newsbomb
Bllokimi i Aeroportit të Vlorës, Pacolli: Drejtësia do të
Biznesmeni Behgjet Pacolli

Biznesmeni Behgjet Pacolli përmes një postimi në rrjetet sociale, ka reaguar sërish në lidhje me bllokimin e punimeve në Aeroportin e Vlorës, ku i ka dërguar një mesazh miqve dhe qytetarëve shqiptarë.

Pacolli shkruan se ka një sërë vendimesh që janë dhënë në disfavor të kompanisë së tij, duke i shkaktuar pasoja të mëdha. Më tej ai shkruan se Gjykata e Lartë i shfuqizoi masat duke konstatuar se ato ishin në kundërshtim me ligjin.

Biznesmeni më tej thekson se ndonëse kompania e tij zotëron 98% të kuotave të shoqërisë së VIA, ajo po privohet nga e drejta për të ushtruar kontrollin dhe kompetencat që i takojnë ligjërisht.

Ndërsa në fund sipërmarrësi nënvizon se ai ka besim tek drejtësia, e cila sipas tij në fund do të triumfojë.

Postimi i plotë i Pacollit:

Të dashur miq e qytetarë,

(Ju lutem, nëse jeni të lodhur ose të mërzitur nga kjo temë e shumëdiskutuar, thjesht mos e lexoni, por te respektoni ata që dëshirojnë të informohen dhe ta lexojnë. Faleminderit për mirëkuptimin dhe ndjesë!)

Që nga tetori i vitit 2025, një sërë vendimesh në formën e masave të sigurimit, të dhëna nga gjyqtarët Fatmir Ndreu, Mirjana Shagani dhe Miranda Nakaj, prodhuan pasoja jashtëzakonisht të rënda për shoqërinë MABCO Construction SA dhe për projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Më pas, Gjykata e Lartë i shfuqizoi këto masa, duke konstatuar se ato ishin në kundërshtim me ligjin. Si pasojë e këtyre vendimeve, MABCO, ndonëse zotëron 98% të kuotave të shoqërisë VIA sh.p.k., u privua për muaj të tërë nga e drejta për të ushtruar kontrollin dhe kompetencat që i takojnë ligjërisht si aksionere shumicë.

Vështirë se mund të gjendet një rast i ngjashëm në praktikën moderne të së drejtës tregtare, ku pronari i pothuajse të gjithë kapitalit të një shoqërie të përjashtohet nga administrimi i saj përmes masave që më pas shpallen të paligjshme nga gjykata më e lartë e vendit. Ky rast meriton të studiohet si një shembull i pasojave që sjell cenimi i sigurisë juridike dhe i të drejtës së pronës.

Këto masa krijuan gjithashtu kushtet që persona të vendosur në administrimin e shoqërisë gjatë kësaj periudhe të vazhdonin bllokimin e punimeve dhe të pengonin hyrjen e specialistëve të MABCO-s dhe të nënkontraktorëve në aeroport. Për muaj të tërë u bllokua përfundimi i një projekti strategjik, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike, financiare dhe reputacionale.

Jam i bindur se për të gjitha dëmet e shkaktuara do të kërkohet përgjegjësi në rrugët ligjore dhe se secili do të mbajë përgjegjësi për veprimet ose mosveprimet e veta, në përputhje me ligjin.

Dalëngadalë po shpërbëhen narrativat e pavërteta që janë ndërtuar gjatë kësaj periudhe. Besimi im tek drejtësia nuk është lëkundur kurrë. Besoj se gjyqtarët e ndershëm dhe institucionet që respektojnë ligjin do të vazhdojnë të bëjnë detyrën e tyre me profesionalizëm dhe paanshmëri.

Drejtësia mund të vonojë, por kur vepron mbi bazën e ligjit dhe të fakteve, ajo triumfon.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese