Edviol Kulluri, i njohur ndryshe edhe si Edviol "Kryendrituri", është një nga anëtarët e Grupit Koordinues të Protestës Mbarëkombëtare, e cila sot ka hyrë në ditën e 39-të.
Kulluri është një nga anëtarët që drejtojnë protestën dhe ka kërkuar thirrjen e Kuvendit Kombëtar, i cili, sipas tij, do të kishte edhe detyrën e krijimit të një qeverie teknike tranzitore. Sipas Kullurit, kjo qeveri do të duhej të zëvendësonte qeverinë e kryeministrit Edi Rama pas dorëheqjes së tij.
Sipas denoncimeve të kryeministrit Edi Rama, Kulluri është një personazh i njohur për organet e rendit në vend, pasi është marrë tetë herë nën hetim nga Policia për vepra penale si rrahje, vjedhje e energjisë elektrike, dhunë dhe pjesëmarrje në protesta të paligjshme.
Por anëtari i Grupit Koordinues, i cili kërkon të instalojë "Shqipërinë e Re", përveç problemeve me ligjin, duket se ka mbështetur edhe vrasjen e një gjyqtari në vend. Bëhet fjalë për ekzekutimin e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, në Gjykatën e Apelit.
Kulluri jo vetëm që nuk e ka dënuar krimin e rëndë, por ka mbështetur edhe autorin e një prej vrasjeve më të rënda të zyrtarëve shqiptarë. Në një postim në Facebook, të datës 8 tetor 2025, "Kryendrituri" ka lartësuar figurën e Elvis Shkambit, i cili qëlloi për vdekje gjyqtarin Kalaja brenda sallës së gjyqit.
Sipas postimit, Shkambi është një "hero i popullit", që vendosi "drejtësinë në vend". Po ashtu, Kulluri nuk ka ngurruar të kërcënojë edhe gjyqtarët e tjerë, duke lënë të kuptohet se i njëjti fat mund t'u ndodhë edhe atyre.
“Kanë dhjerë në brekë nga frika se mos ju vjen radha njësoj si mender gjyqtarit dhe kanë 48 orë që nuk po dinë se si e se sa ta dënojnë "aktin kriminal", akt që është në fakt vepër madhore e një heroi të një populli të nëpërkëmbur që kërkon drejtësi, të drejta dhe zhvillim të mohuar.
Bëjini homazhe sa të doni, po nuk kthyet kurs veprimi, herët a vonë fatin e tij do të keni.
Lavdi Heroit! Liri për Heroin!”, shkruan ai në Facebook.
