Komiteti Shqiptar i Helsinkit i është drejtuar zyrtarisht, dje, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë me një kërkesë për të nisur menjëherë dhe kryesisht (ex officio) një hetim të pavarur dhe efektiv, për pretendimet e dhunës ndaj protestuesve gjatë dhe pas protestës së 2 korrikut.
Shkresa drejtuar organit të prokurorisë bazohet në vëzhgimet në terren të realizuara në datë 2 Korrik 2026, pamjet publike të protestës të bëra në media, në pretendimet e ngritura edhe në seancën gjyqësore të 5 korrikut për vleftësimin e arrestit në flagrancë të protestuesve, dhe në ankesat dhe videot e protestuesve dhe avokatëve mbrojtës të tyre, të përcjellja pranë zyrës sonë.
Sipas nenit 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, kur dalin prova të tilla publike, prokuroria e ka detyrim të nisë vetë hetimin, pa pritur kallëzim.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka marrë nga protestuesit një video të re, e cila tregon shqetësimin e ngritur nga 24 organizata të shoqërisë civile më herët për "efektin gardh", rrethimin nga policia të protestuesve të neutralizuar, për të penguar filmimin dhe dhunën ndaj një prej protestuesve (A.Ll).
"Çdo vonesë në hetim rrezikon humbjen e provave për ankesat e bazuara në indicje të arsyeshme të protestuesve dhe cenon garancitë procedurale të nenit 3 të Konventës Evropiane (KEDNJ). KShH i rekomandon organit të prokurorisë të veprojë menjëherë dhe pa vonesa", përmbyllet reagimi.
