Këtë të hënë po zhvillohet protesta e 16-të radhazi kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit, një lëvizje që tashmë ka tejkaluar kauzën fillestare dhe qytetarët janë duke kërkuar dorëheqjen e të gjithë klasës politike.
Mijëra qytetarë, aktivistë dhe mbështetës të nismës fillimisht u grumbulluan në sheshin “Skëndërbej”, për të vijuar më tej marshimin drejt godinës së Kryeministrisë ashtu sikurse dhe prej gjashtëmbëdhjetë ditësh është duke ndodhur. Nën thirrje dhe pankarta të shumta, protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe vendimmarrje në dëm të interesit publik.
Pas tensioneve të regjistruara një natë më parë pranë aeroportit të Rinasit, organizatorët kanë vendosur një strukturë të re koordinimi të marshimit. Ata kanë kërkuar që të ndjekin me përpikmëri itinerarin e vendosur dhe se marshimi nuk do të tejkalohet jashtë Unazës.
View this post on Instagram
Lëvizja qytetare e cila nisi si reagim kundër projektit turistik në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës dhe Sazanit, ka marrë një dimension të ri politik. Përveç kundërshtimit të investimit, protestuesit po artikulojnë kërkesa për largimin e qeverisë, rishikimin e kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjet për Zonat e Mbrojtura dhe Trashëgiminë Kulturore.
