Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, mori pjesë në “Konferencën e Mbrojtjes së Athinës”, me ftesë të homologut grek, Nikos Dendias. Ky takim u organizuar nga Forumi Ekonomik u Delfit dhe Fondacioni Helenik për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke bërë bashkë ministra te mbrojtjes, drejtues të lartë të NATO-s, diplomatë dhe ekspertë të sigurisë.
Në fjalën e tij, Nufi theksoi rolin e Shqipërisë si një aleate e përgjegjshme dhe e përkushtuar në NATO, duke nënvizuar se vendi po rrit investimet dhe po modernizon Forcat e Armatosura. Ai vuri në dukje se kontributi shqiptar shtrihet në operacionet e NATO-s, misionet e Bashkimit Evropian dhe nismat ndërkombëtare për sigurinë.
“Shqipëria jep një kontribut të pandërprerë me përgjegjësi dhe vendosmëri për Aleancën e NATO-s. Mbështesim një Evropë më të fortë brenda një NATO-je më të fuqishme”, deklaroi Nufi.
Ministri shtoi se Ballkani Perëndimor duhet të mbetet prioritet strategjik për BE-në dhe NATO-n, duke paralajmëruar për rreziqet e dezinformimit, luftës hibride dhe ndikimeve destabilizuese në rajon.
