Pas protestës së sotme jashtë ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë, ku disa protestues goditën me vezë makinat e deputetëve dhe u përleshën me Policinë e Shtetit, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër duke deklaruar se nuk janë sulmuar vetëm deputetët e mazhorancës, por çdo deputet, duke theksuar gjithashtu se dhuna ndaj policisë është një kërcënim serioz për rendin dhe stabilitetin e vendit.
Incidenti i sotëm erdhi pas 30 ditësh protestë të vazhdueshme, duke shprehur pakënaqësitë ndaj sistemit dhe dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Deputeti socialist paralajmëroi se sulmet ndaj policisë nuk dëmtojnë vetëm institucionet, por rrezikojnë themelet e shtetit.
“Prej gati tre orësh, në rrethinat e Parlamentit, në hyrje dhe dalje të tij, janë sulmuar deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Nuk janë sulmuar vetëm deputetët e Partisë Socialiste, por çdo deputet, jo vetëm burrat, por edhe gratë. Tani dua t’i drejtohem Policisë së Shtetit. Në rast se i keni shoqëruar, ose kërkoni t’i shoqëroni sepse kanë qëlluar me vezë makinën time, bëni një gabim shumë të madh. Gjërat e mia di t’i zgjidh vetë. Nuk kam pasur nevojë për askënd sot dhe nuk kam nevojë as tani. Ajo që mua më shqetëson është dora e ngritur dhe goditja ndaj policit të shtetit. Nëse goditet një deputet, natyrisht është e rëndë, sepse ka të bëjë me sovranitetin e Kuvendit. Por në rast se goditet polici i shtetit, kjo nuk është ‘Shqipëria e re’, por është kaosi i ri. Sepse, nëse bie polici i shtetit, bie shteti. Nuk bie as Partia Socialiste dhe nuk bie as sistemi për të cilin dërdëllisin këta në rrjetet sociale, por bie shteti. Ky vend e ka vuajtur shumë rënien e shtetit. Shikojeni foton duke u goditur polici i shtetit”, deklaroi Braçe.
