Avokati i Popullit, Endrit Shabani, vizitoi mbrëmjen e sotme në spital punonjësit e Policisë së Shtetit që u lënduan gjatë protestës përpara Parlamentit.
Shabani deklaroi se integriteti fizik i policëve në krye të detyrës është i paprekshëm dhe se dhuna, nga kushdo që ushtrohet apo nxit, është e papranueshme dhe duhet të ndëshkohet sipas ligjit. Ai dënoi çdo akt dhune të ndodhur gjatë ngjarjeve të ditës, si ndaj qytetarëve, ashtu edhe ndaj forcave të rendit.
Në vijim, Avokati i Popullit rikujtoi se e drejta për tubim është një shtyllë e demokracisë dhe duhet të ushtrohet paqësisht. Sipas tij, çdo akt dhune jo vetëm që dëmton protestën, por edhe cenon të drejtën e atyre qytetarëve që duan të shprehin pakënaqësinë e tyre në mënyrë të qetë.
