Biznesmeni Nadir Çausholli ka dalë me një reagim zyrtar ku dhe ka sqaruar ngjarjen e ndodhur mesditën e kësaj të hëne, ku siç dhe u raportua pati një përplasje me biznesmenin Mirton Lika. Përmes një postimi të bërë në rrjetin e tij social, Çausholli ka sqaruar gjerë e gjatë se konflikti mes tyre e ka zanafillën rreth 1 vit e gjysmë më parë.
Mes rreshtave biznesmeni ka bërë me dije se kompania e taksive në pronësi të tij disponon prej tetë vitesh vendqëndrimin e saj përballë Ambasadës së Zvicrës, në një distancë prej rreth 15 metrash nga “Sky Tower”. Sipas deklaratës së Çaushollit, ka qenë pikërisht Vladimir Kosta i cili në atë periudhë ka kërcënuar me armë zjarri shoferët e kompanisë së tij.
“Konflikti qe kemi pasur eshte vetem me Lad Kosten dhe jo me Mirton Liken qe eshte dhenduri i Ladit. Lad Kosta eshte pronari real i Sky Tower. Grewn Taxi ka vendet e taxis perballe ambasades Sviceriane (qe prej 8 vitesh) qe eshte rreth 15 metra larg Sky Tower.
Historia filloi para 1,5 vitesh Ku Lad Kosta shkon me pistolete ne dore dhe kercenon shoferet e taxis Green Taxi. Ne i bejme kallzim penal. Normalisht duhej qe Lad Kosta te ishte arrestuar per armemabjtje pa leje dhe per kercenim me jete”, shkruan Çausholli, duke pretenduar më pas se prej një viti vendqëndrimi i taksive të “Green Taxi” është zënë në mënyrë të paligjshme nga mjete të tjera, ndonëse sipas tij ai është një vend i licensuar që kompania e disponon prej vitit 2018.
Në reagimin e tij ai shprehet se pavarësisht kallëzimeve, autoritetet nuk kanë ndërhyrë për t’i dhënë një drejtim apo dhe zgjidhje kësaj situate. Një tjetër pikë e konfliktit lidhet dhe me karikuesin elektrik të “Green Taxi”, ai që sipas Policisë u bë dhe shkak për debatin e sotëm mes dy biznesmenëve.
Çausholli sqaron se ky karikues është vendosur me leje ndërtimi dhe konfort me të gjitha procedurat ligjore, duke theksuar madje se investimi për këtë pajisje ka qenë rreth 55 mijë euro. Sipas tij, dy muaj më parë karikuesi është hequr dhe është zëvendësuar me një tjetër pa leje.
Çausholli e cilëson këtë situatë të papranueshme dhe thotë se ka bërë sërish kallëzim penal ndaj Vladimir Kostës dhe Mirton Likës. Ai pretendon se pavarësisht denoncimeve policia nuk ka ndërhyrë për të larguar karikuesin që sipas tij ishte vendosur në mënyrë të paligjshme, ndërsa shton se stafi i Green Taxi është kërcënuar.
“Prej 1 viti na e ka zene vendin tine me mjete te veta paligjshmerisht nderkohe ai eshte vend taxish qe ne e kemi prej 2018 dhe ne skemi cfare ti bejme sepse ai ka shok ato te policise dhe si ben dot gje askush.
Ne kemi te vendosur aty karikuesin tone te Green Taxi i cili eshte me leje ndertimi dhe konform gjithe procedurave. Per ate karikues kemi shpenxuar 55.000 euro lidhje dhe blerje karikuesi.
Para dy muajsh Lad Kosta i suportuar nga institucionet vjedh karikuesen tone dhe vendos nje tjeter te veten pa leje ndertimi, duke nderhyre te lidhjet elektrike te oshee per te cilin ne paguajme faturat cro muaj dhe kur ne shkojme te shofim per karikuesin tone ai thote qe e kam marre dhe sdua me jua dhene.
Besoj se eshte e patolerueshme per kedo qe te shofi diten per diell ku tjetri te vjen te vjedh paisjen dhe si ben dot gje askush. I bejme kallzim penal serish Lad Kostes dhe dhndrit te tij Mirton Lika. Policia nuk vepron qe ti heqi karikuesin e paligjshem te atij te vendosur pa leje ndertimi, duke vjedhur paisjen e dikujt tjeter, duke bere nderhyrje te paligjshme ne lidhjet e sahatit elektrik te dilujt tjeter dhe duke kercenuar stafin e Green Taxi-t me jete qe po u afruat me do ta shofni cfare do ju bejme”, shkruan biznesmeni duke vijuar më tej se rreth një jave më parë pajisja e vendosur nga pala tjetër pra e (Kostës dhe Likës) është larguar dhe kompania e tij ka rivendosur një karikues të ri.
Sa i përket incidentit të ndodhur këtë të hënë Çausholli thotë se stafi i “Green Taxi” është penguar gjatë rivendosjes së karikuesit dhe se për këtë arsye shkoi vetë personalisht në vendngjarje për të mbështetur punonjësit e tij, ndërsa ka mohuar raportimet e bëra më herët se mes tyre ka pasur dhunë fizike.
“Para nje jave Lad Kosta hoqi paisjen e vet qe e kishte vendos forcerisht te vendi jone dhe ne u detyruam te vendosim paisjen tone te re se te vjetren na e mban peng Lad Kosta
Nderkohe Lad Kosta dhe dhendri i tij Mirron Lika shkon kercenon sot stafin qe po rivendoste paisjen tone te vendi i vet dhe e godasin me shkelm paisjen konkretisht Mirton Lika. Shkova aty dhe vete sepse besoj se ceo mashkull jo pederast do mbronte stafin e vet nga kercenimet e atij torrollakut Lad Kostes. Ai engjelli kishte marre 20 bodigarda gjoja per teima. Asnjeri nga ne nuk u godit pervec sajesave mediatike”, ka sqaruar biznesmeni ndër të tjera.
Kujtojmë se ngjarja u regjistrua mesditën e kësaj të hëne. Përmes një reagimi zyrtar Policia e Shtetit njoftoi: "Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 proceduan penalisht shtetasin N. Ç., 48 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Vetëgjyqësia”.
Ky shtetas, më datë 06.07.2026, në rrugën “Ibrahim Rugova”, gjatë një konflikti të ndodhur për montimin e një pajisjeje karikimi për automjete elektrike në trotuar, dyshohet se ka kanosur me fjalë shtetasin M. L., 53 vjeç, si dhe ka goditur me shkelm një karrige në drejtim të tij.
Nga ana tjetër, shtetasi N. Ç. ka kallëzuar se është kanosur me fjalë nga shtetasi M. L. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme".
