Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Riorganizime në administratën shtetërore, performanca e institucioneve do të jetë e aksesueshme për të gjithë qytetarët

Shkruar nga Newsbomb
Riorganizime në administratën shtetërore, performanca e
Kryeministria

Është miratuar ditën e sotme projektligji “Për disa ndryshime në ligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”.

Vendimi i marrë së fundmi nga Këshilli i Ministrave synon modernizimin e organizimit dhe rritjen e llogaridhënies së institucioneve publike, në mënyrë që të arrihen kështu standardet europiane.

Sipas Ministrisë së Shtetit për Administratën Publike, në funksion të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës, projektligji vendos një sistem të unifikuar monitorimi të performancës në administratën shtetërore.

Në këtë mënyrë standardizohen proceset e planifikimit dhe raportimit nga të gjitha institucionet e varësisë tek ministritë përgjegjëse.

Raportet e performancës së secilit institucion për herë të parë do të publikohen duke u bërë të aksesueshme për qytetarët.

Po ashtu, projektligji synon organizimin e institucioneve joministrore, duke i ndarë ato në dy kategori kryesore: ‘institucione varësie dhe agjenci autonome.’

Përmes ndryshimeve të bëra synohet ndryshimi i përgjegjësive, forcimi i mbikëqyrjes dhe rritja e llogaridhënies së institucioneve ndaj ministrive përgjegjëse.

Një objektiv tjetër i rëndësishëm i reformës është parandalimi i fragmentarizimit të administratës në një numër të madh institucionesh varësie.

Në këtë kuadër, projektligji kufizon krijimin e institucione me numër të vogël punonjësish, funksionet e të cilave mund të përthithen ose të ushtrohen në mënyrë më efikase nga ministritë përkatëse.

Në nivelin e menaxhimit të brendshëm institucional, projektligji forcon rolin e drejtorive të përgjithshme, të cilat do të jenë tashmë instanca më e lartë vendimmarrëse për proceset rutinore, përveç rasteve kur ligji ngarkon ministrin ose sekretarin e përgjithshëm për marrjen e vendimit, duke reduktuar centralizimin aktual të vendimmarrjes.

 Njëherësh, kjo pritet të lehtësojë peshën e proceseve administrative që aktualisht kalojnë përmes Sekretarëve të Përgjithshëm, duke u mundësuar atyre të fokusohen më shumë te drejtimi strategjik dhe prioritetet institucionale, si dhe duke rritur përgjegjshmërinë e çdo hallke administrative.

Një nga elementët kryesorë të reformës është përcaktimi i kritereve për kalimin e institucioneve në varësi të Kryeministrit, me synimin për të shmangur mbingarkesën e qendrës së qeverisjes dhe për të garantuar fokusimin e saj te koordinimi ndërsektorial dhe prioritetet strategjike të qeverisë. Projektligji parashikon që strukturat e reja të krijohen vetëm kur janë të domosdoshme, me mandat të kufizuar në kohë dhe të lidhur me objektiva të përcaktuara qartë.

Ndikimi më i prekshëm i reformës për qytetarët pritet të vijë përmes vendosjes së rregullave të qarta për rekrutimin, zhvillimin në karrierë dhe largimin nga puna të punonjësve të shërbimeve publike që funksionojnë sipas Kodit të Punës, përfshirë spitalet, shkollat dhe institucionet sociale. Synimi është garantimi i standardeve më të larta të profesionalizmit, integritetit dhe performancës në shërbimet që qytetarët marrin çdo ditë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese