Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

15-vjeçari humbi jetën në pishinën e nënkryetares së Bashkisë Gjirokastër, Gjykata vendos të nxjerrë nga burgu bashkëshortin e saj: S’ka rrezik për hetimet

Shkruar nga Newsbomb
15-vjeçari humbi jetën në pishinën e nënkryetares
Pishina ku humbi jeten i mituri

Gjykata e Gjirokastrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Ermal Kokon, pronarin e pishinës “GLOW” dhe bashkëshortin e nënkryetares së Bashkisë Gjirokastër Artiste Koko, në lidhje me ngjarjen tragjike ku humbi jetën 15-vjeçari Arbër Peçi.

Koko ishte arrestuar pak ditë më parë me urdhër të Prokurorisë, ndërsa ndaj tij rëndon akuza e “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Seanca gjyqësore u zhvillua në Gjykatën e Gjirokastrës dhe u drejtua nga gjyqtari Ervin Kore. Gjatë shqyrtimit të kërkesës për masën e sigurisë, prokurorja e çështjes Nettila Miftaraj, paraqiti argumentet dhe provat e mbledhura deri në këtë fazë të hetimit, duke u ndalur te ngjarja e rëndë e ndodhur në ambientet e pishinës ku 15-vjeçari Arbër Peçi humbi jetën.

Nga ana tjetër mbrojtja ligjore e Ermal Kokos, e përfaqësuar nga avokati Ben Pasho, kërkoi caktimin e një mase më të lehtë sigurie, duke argumentuar se klienti i tij nuk paraqet rrezik për hetimin.

Pas dëgjimit të palëve, gjykata vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e mbrojtjes, duke caktuar ndaj Ermal Kokos masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Ngjarja që tronditi opinionin publik ndodhi katër ditë më parë kur 15-vjeçari Arbër Peçi humbi jetën pak çaste pasi ishte futur në ujë. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se i mituri mund të ketë ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak, megjithatë shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Hetimet për këtë ngjarje vijojnë, ndërsa organet kompetente po punojnë për të sqaruar plotësisht përgjegjësitë dhe rrethanat që çuan në humbjen e jetës së 15-vjeçarit.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese