Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Orest Sota kërkon të dalë nga burgu, kërkon masë më të lehtë sigurie, Altin Dumani ndjek nga afër dosjen ku janë të përfshirë biznesmenët

Shkruar nga Newsbomb
Orest Sota kërkon të dalë nga burgu, kërkon masë
Orest Sota

Biznesmeni Orest Sota ka kundërshtuar masën e sigurisë “arrest në burg” gjatë seancës që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të megaoperacionit të SPAK ndaj një rrjeti të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.

Përmes mbrojtësit të tij ligjor, Sota i kërkoi gjykatës zëvendësimin e masës së arrestit me një masë më të lehtë sigurie, duke argumentuar se nuk ekzistojnë prova që e lidhin atë me aktivitetin kriminal të hetuar nga Prokuroria e Posaçme.

“Caktoni një masë më të lehtë sigurie, pasi nuk provohet përfshirja e tij në këtë proces”, deklaroi avokati para trupës gjykuese.

Edhe vetë biznesmeni mbajti një qëndrim të shkurtër gjatë seancës, duke shprehur dakordësinë me argumentet e paraqitura nga mbrojtja.

Seanca ndaj Sotës zhvillohet dy ditë pas operacionit të gjerë të SPAK, i cili goditi dy nga grupet më të mëdha të dyshuara për trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim të të ardhurave kriminale. Këtë të diel para GJKKO-së kanë dalë për verifikimin e masave të sigurisë edhe Orgest Birçaj, Dritan Aga, Edmond Jaupi dhe Gëzim Islami.

Sipas SPAK, të arrestuarit dyshohet se kanë qenë pjesë e një strukture kriminale që ka trafikuar mbi 6.7 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt porteve të Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian.

Seanca gjyqësore nisi në orën 09:00, por u ndërpre për rreth dy orë pas kërkesës së avokatëve mbrojtës për t’u njohur me aktet hetimore. Më pas procesi rifilloi në praninë e kreut të SPAK, Altin Dumani, prokurores Elida Kaçkini dhe gjyqtares Flojera Davidhi.

Sipas dosjes hetimore në krye të dy organizatave të goditura qëndrojnë Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai. Hetimet pretendojnë se rrjeti kriminal shtrihej nga laboratorët e kokainës në Ekuador dhe Kolumbi deri te magazinat e përpunimit në Belgjikë dhe Holandë, ndërsa lënda narkotike fshihej në ngarkesa me qymyr, fruta dhe sojë për të hyrë në tregun europian.

Në dosje përmendet edhe emri i Orgest Birçajt, pronar i kompanisë “Top Seven”, i cili sipas SPAK dyshohet se organizonte dërgimin e punëtorëve shqiptarë drejt laboratorëve të kokainës në Ekuador përmes agjencisë së tij të udhëtimeve. Ndërkohë Orest Sota dhe persona të tjerë dyshohet se kanë pasur role të ndryshme në rrjetin e trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Megaoperacioni i zhvilluar më 12 qershor çoi në lëshimin e 20 masave të sigurisë. Mes personave të përfshirë janë edhe biznesmeni Ilir Shtufi, i arrestuar në Greqi si dhe Artur Shehu, i shpallur në kërkim.

Sipas Prokurorisë së Posaçme fitimet e përfituara nga trafiku i drogës dyshohet se janë investuar më pas në kompani ndërtimi, prona të paluajtshme dhe aktivitete të tjera ekonomike. Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 18 vila, 336 llogari bankare, kompani tregtare, apartamente, automjete luksoze dhe prona. Po ashtu është sekuestruar dhe nëj transaksion me vlerë 128 milionë euro i cili lihjet me shitjen e pronave në Zvërnec.

Orest Sota është një emër i njohur për opinionin publik dhe ka qenë më herët objekt i interesit të organeve ligjzbatuese. Ai është marrë në pyetje disa herë nga SPAK në lidhje me aktivitetin e tij dhe raportet e dyshuara me Ergys Agasin, emër i përfolur në dosje të ndryshme hetimore dhe i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese