Tiranë më 06.07.2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin dhe dënon gjuhën denigruese të përdorur nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndaj gazetarit Klevin Muka, përmes publikimeve në rrjetet sociale, ku u shpërnda një video dhe u përdorën etiketime e akuza që cënojnë dinjitetin profesional të gazetarit.
Edhe kur ekzistojnë kundërshtime mbi raportimet apo informacionin e publikuar, përfaqësuesit më të lartë të pushtetit kanë detyrimin të respektojnë standardet e komunikimit publik dhe të mos përdorin gjuhë që stigmatizon apo nxit etiketime ndaj gazetarëve.
Veçanërisht shqetësues është fakti i etiketimeve të tilla si "gënjeshtar me pagesë", i artikuluar nga një prej drejtuesve më të lartë të mazhorancës.
Deklarata të tilla rrezikojnë të krijojnë një klimë presioni ndaj gazetarëve dhe vënë në dyshim punën e tyre përmes sulmeve personale.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë rithekson se kundërshtimi i një raportimi apo i një publikimi duhet të bëhet me fakte, argumente dhe në të drejtën e përgjigjes, jo përmes sulmeve personale.
UGSH u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë përgjegjësi në komunikimin publik, duke respektuar rolin e medias dhe të drejtën e gazetarëve për të ushtruar profesionin e tyre pa presion dhe pa etiketime.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
