Hapësire reklamuese

Aktualitet

Violand Braçellari del pas një muaji nga Spitali i Traumës, qëlloi drejt Policisë dhe i mori jetën Enea Mekollit, dyshohet se përdori fishekë blindshpues

Shkruar nga Newsbomb
Violand Braçellari del pas një muaji nga Spitali i Traumës,
Foto ilustruese: Efektivi Enea Mekolli dhe autori Violand Braçellari

Violand Braçellari, personi i akuzuar për vrasjen e punonjësit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli dhe plagosjen e kolegut të tij, Edison Adri, gjatë një operacioni policor në zonën e fshatit Boden në Maliq, ka dalë nga Spitali i Traumës pas një muaji.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” dhe prej ditëve të para të qershorit, ai ndodhej në spital për shkak se gjatë operacionit për kapjen e tij, mbeti i plagosur.

Aktualisht, Violand Braçellari ndodhet i shtruar në Spitalin e Burgut pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku po vijon trajtimin mjekësor nën masa të rrepta sigurie. Pas përfundimit të mjekimit, ai pritet të transferohet në një institucion të sigurisë së lartë.

Sipas të dhënave të hetimit, 43-vjeçari dyshohet se ka përdorur municion blindëshpues gjatë sulmit me armë automatike. Kjo është mbështetur edhe nga ekspertiza që i është bërë kallashnikovit.

Prokuroria e Korçës e akuzon Violand Braçellarin për kryerjen e veprave penale “Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit”, “Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit” ngelur në tentativë, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në formën e mbajtjes së armëve të zjarrit në ambiente publike dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” në formën e mbajtjes së armës së gjuetisë dhe municionit, parashikuar prej neneve 79/b, 79b-22, 278/1 dhe 280 të Kodit Penal.

Ngjarja e rëndë ndodhi një muaj më parë në fshatin Boden të Maliqit, gjatë një aksioni policor për kapjen Violand Braçellarit, i cili iu përgjigj me armë zjarri forcave të rendit. Si pasojë e përplasjes, humbi jetën efektivi Enea Mekolli, ndërsa u plagos edhe punonjësi tjetër i policisë Edison Adri.

Sot, Enea Mekolli është shpallur Dëshmor i Atdheut dhe djalit të tij të mitur i është dhënë statusi "Fëmijë në përkujdesje të Republikës".

Statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” përfitohet deri në moshën 18 vjeç dhe i siguron personit një trajtim të veçantë material e moral, sipas parashikimeve të këtij ligji, deri në moshën 25 vjeç, nëse ndjek arsimin e lartë. Pas kësaj moshe statusi ruhet gjatë gjithë jetës, por nuk jep të drejtë për trajtim të veçantë material, përveç shoqërimit, nderimit dhe përkujdesjes morale nga organet publike përkatëse, sipas parashikimit të pikës 2, të nenit 10 të këtij ligji.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese