Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka njoftuar se shtetet anëtare të BE-së kanë vendosur sanksione ndaj Iranit për kufizimin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit.
Përmes një postimi në platformën “X”, Kallas theksoi se veprimet e Teheranit janë të papranueshme dhe përbëjnë kërcënim për sigurinë detare në rajon.
"Lindja e Mesme është bllokuar në një cikël bisedimesh të brishta paqeje dhe armëpushimesh. Dronët e Teheranit vazhdojnë të kërcënojnë trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit. Ministrat ishin të qartë se veprimet e Iranit janë të papranueshme. Në përgjigje, shtetet anëtare të BE-së në Bruksel vendosën sot sanksione ndaj iranianëve për kufizimin e trafikut detar në Ngushticë", tha Kallas.
Gjithashtu ajo u shpreh se kjo është hera e parë që BE-ja po zbaton regjimin e sanksioneve për lirinë e lundrimit.
