Irani i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së presidentit Donald Trump dhe njofton se ka pezulluar operacionet ushtarake kundër Izraelit, por paralajmëroi se do t'i rifillojë ato nëse sulmet vazhdojnë, përfshirë edhe në Libanin jugor.
“Forcat e fuqishme të Armatosura të Republikës Islamike të Iranit, në mbështetje të popullit të shtypur të Libanit, i dhanë një përgjigje të dhimbshme këtij regjimi (Izraelit)”, tha ushtria iraniane në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve Tasnim.
“Nëse agresionet dhe aktet armiqësore vazhdojnë – përfshirë edhe në Libanin jugor – do të merren masa shumë më të ashpra dhe shkatërruese se më parë”, vijoi deklarata.
Presidenti Donald Trump shkroi këtë të hënë në rrjetet e tij sociale se Izraeli dhe Irani “duhet të ndalojnë menjëherë ‘të shtënat’”. Ai duket se po përpiqet përsëri ta detyrojë Izraelin të ndalojë një luftë, pasi bëri të njëjtën gjë në Gaza, Liban dhe në konfliktet e mëparshme me Iranin.
Ndërkohë, po sot, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të mbledhë kabinetin e sigurisë për të diskutuar përshkallëzimin e armiqësive midis Izraelit dhe Iranit, tha një zyrtar izraelit për CNN.
Takimi vjen pas një serie konsultimesh për sigurinë që Netanyahu mbajti sot, tha zyrtari, duke përfshirë një takim më të vogël me zyrtarë të lartë të mbrojtjes dhe ministra të zgjedhur.
Konsultimet vijnë pasi Izraeli dhe Irani shkëmbyen zjarr. Sipas Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF), Irani qëlloi afër 30 raketa balistike. Përveç kësaj, dy raketa u qëlluan nga Huthitët e mbështetur nga Irani në Jemen.
