Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ka reaguar në lidhje me përdorimin e lëndëve irrituese nga Policia e Shtetit gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit, duke sqaruar se mjetet e përdorura janë të certifikuara dhe në përdorim edhe nga forcat policore të vendeve të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nga Kuvendi i Shqipërisë, Lamallari konfirmoi se Policia e Shtetit ka përdorur lëndët RSG8 TË1000 Professional dhe VESK RSG 8000 Special, të cilat, sipas tij, janë lëndë speciale irrituese profesionale për vetëmbrojtje dhe neutralizimin e personave të dhunshëm. Ministri shfrytëzoi fjalën e tij edhe për të sulmuar opozitën, duke e akuzuar se po toleron persona që, sipas tij, synojnë të nxisin dhunë gjatë protestave.
“Konfirmoj që lëndët e përdorura nga Policia e Shtetit janë RSG8 TË1000 Professional dhe VESK RSG 8000 Special, lëndë speciale irrituese profesionale për vetëmbrojtje dhe neutralizim të personave të dhunshëm, të certifikuara dhe të përdorura nga forcat policore në vendet e Bashkimit Europian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lajmi nuk është spray i përdorur. Lajmi është që partia e ‘molotovarëve’ është shndërruar në parti të ‘skuthave’, që hedhin gurin dhe fshehin dorën. Nuk mund të pretendoni se përfaqësoni zërin e protestës, ndërsa toleroni njerëz me kapuç dhe individë që kërkojnë të nxisin dhunë.
Largoni njerëzit me kapuç përpara se t’i largojë Policia. Policia e Shtetit po bën detyrën e saj konform ligjit për të garantuar mbarëvajtjen e protestës. Nuk keni asnjë të drejtë morale t’i jepni leksione Policisë së Shtetit për mënyrën se si garanton rendin dhe sigurinë”, u shpreh Lamallari.
