Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, në një postim në Facebook, ka reaguar në lidhje me ndryshimet e miratuara në ligjin për Policinë e Shtetit gjatë seancës së sotme në Kuvend, duke e cilësuar atë si një reformë që e forcon institucionin, pa prekur parimet mbi të cilat është ndërtuar.
Ndryshimet prekin disa pika, të cilat përfshijnë kapacitete drejtuese më të forta, si dhe një organizim më të thjeshtë dhe më funksional.
Po ashtu, ndryshime të tjera lidhen me sistemin e karrierës, dhënien fund të vakancave dhe administrimin më modern të burimeve njerëzore.
Në fund, ministri Lamallari thekson se vendi ynë ka nevojë për një Polici Shteti më të fortë, më profesionale dhe më pranë qytetarëve.
Postimi i plotë i Lamallarit:
Sot u votuan në Kuvend amendimet e reja në ligjin për Policinë e Shtetit, një reformë që e forcon institucionin, pa prekur parimet mbi të cilat është ndërtuar.
Çfarë ndryshon:
Kapacitet drejtues më i fortë – organizim më i thjeshtë dhe funksional, me zinxhir komandimi të qartë e vendimmarrje të shpejtë
Sistemi i karrierës – rikthehet lidhja mes gradës dhe funksionit drejtues, mbi bazën e meritës dhe eksperiencës
Fund vakancave të zgjatura – institucion me drejtues të përgjegjshëm, pa procese burokratike që zgjasin dhe krijojnë vakum
Administrim më modern i burimeve njerëzore – rregulla më të drejta për transferimet dhe një sistem disiplinor më proporcional
Ruajtja e kujtesës institucionale – përvoja e fituar ndër vite trajtohet si kapital shtetëror, jo privilegj
Në kushtet e sfidave të reja të sigurisë dhe krimit transnacional, Shqipëria ka nevojë për një Polici Shteti më të fortë, më profesionale dhe më afër qytetarëve
