Teksa prej 18 ditësh qytetarët protestojnë dhe marshojnë nëpër rrugët e kryeqytetit duke kundërshtuar investimet amerikane në vend, demokrati Klevis Balliu duket se ka një “zgjidhje” për mijëra individë.
Në një intervistë të dhënë për A2CNN, Balliu u bën thirrje qytetarëve që të protestojnë nesër para Parlamentit. Ndërsa shton se demokratët do u vijnë në ndihmë atyre që t’i ndihmojnë për të nxjerrë jashtë Kuvendit socialistët.
“Hajde t’i nxjerrim nga Parlamenti! Nesër është protesta, të vijnë aty në Parlament, t’i nxjerrin përjashta dhe ne i ndihmojmë t’i nxjerrin përjashta, dhe le ta vendosin këta se çfarë Kodi Zgjedhor duan. Por s’është problem te Kodi Zgjedhor. I patë ato kullat? E patë që një person 29 vjeç kishte 135 milionë euro, me atë përballem në zgjedhje unë. Qytetarët janë opozitarë, ka që s’janë me PD-në, ka që janë me PS-në, ka që janë me partitë e tjera. Të iki ky që të shpëtojë ky vend. Këta duhet t’i mbështesim, mos ta relativizojmë çështjen”, tha Balliu.
Mirëpo kujtojmë se qytetarë prej 18 ditësh janë “ngritur peshë” në zemër të Tiranës duke kërkuar një ndryshim total të klasës politike, përfshirë këtu PD dhe PS.


