Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpallur fitoren e partisë së tij para simpatizantëve të mbledhur në sheshin “Skënderbeu” mbrëmjen e djeshme, pasi morën 42.92% të votave.
Në fjalimin e tij, Kurti e cilësoi rezultatin si fitoren e pestë të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare dhe tha se ai përbën një tjetër konfirmim të mbështetjes qytetare për qeverisjen e partisë së tij. “Urime edhe një fitore e LVV-së, kjo është fitorja e pestë e Lëvizjes në zgjedhjet parlamentare. Ky është edhe një konfirmim i radhës se kjo dekadë është e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje”, deklaroi Kurti
Ai po ashtu deklaroi se gjatë javëve në vijim do të mbajë takime me partitë e tjera politike, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje me partnerët e koalicionit do të bashkëpunojë me secilën parti.
“Natyrisht se gjatë javëve në vijim do të komunikojmë, do t’i takojmë e do të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politike të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 291,255 vota, ose 43.03%. Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës, me 143,674 vota, ose 21.24%, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 119,691 vota, ose 17.70%.
Po ashtu, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 47,817 vota, ndërsa Lista Serbe e pakicës serbe ka marrë 39,678 vota.
