Analisti Indrit Vokshi, në një intervistë për Euronews Albania ka folur lidhur me procesin gjyqësor në Hagë që pritet të zhvillohet në korrik. Vokshi paralajmëron se lirimi i komandantëve nuk do të rikthejë fuqinë e partive të luftës, sepse skena politike e Kosovës është transformuar dhe dominon Albin Kurti me Vetëvendosjen.
Indrit Vokshi po thotë se edhe nëse komandantët e luftës lirohen nga Haga, kjo nuk do të ndryshojë shumë në politikën e Kosovës. Sipas tij partitë e lidhura me luftën nuk po marrin më vota vetëm për shkak të historisë së tyre, sepse brezat e rinj dhe realiteti politik kanë ndryshuar. Vokshi thekson se Albin Kurti ka fituar disa zgjedhje radhazi dhe mund të forcohet edhe më shumë, madje edhe nëse ish-udhëheqësit e luftës kthehen. Sipas tij është më mirë që ata të mos rikthehen fuqishëm në politikë, duke përmendur edhe deklaratën e Hashim Thaçit se nuk do të merret më me politikë pas mandatit presidencial.
“Fakti që shtyhet vendimi për ta derisa të krijohen institucionet na çon të mendojmë se kanë ndërmend t’i lirojnë. Edhe po i liruan nuk ndryshon ndonjë gjë e madhe në Kosovë.”Ata po bëjnë mbi pesë vjet atje dhe kanë edhe shkëputje të lidhjes me realitetin… mund të ndodhë që ta presin me tapet të kuq në aeroport. Mirëpo balancat politike dhe brezat politikë kanë ndryshuar.“Politika me historinë e luftës çlirimtare nuk është se prodhon vota masive. Partitë e luftës janë pakicë dhe po i mund Albin Kurti disa zgjedhje radhazi. Nëse duam t’i sjellim për shkak se janë heronj të luftës dhe ta përkthejmë këtë politikisht, ky do të ishte një problem i madh, sepse realiteti është tjetër. Është më mirë që ata të mos merren shumë me politikë. Hashim Thaçi e ka deklaruar vetë pas mbarimit të mandatit të presidentit: unë nuk do të jem më në politikë.”- tha Vokshi.
