Hapësire reklamuese

Aktualitet

Dështon thirrja ndërkombëtare për Korpusin e Institucioneve të Pavarura, 20.000 m2 për të akomoduar Instat, Avokatin e Popullit, Komisionerët, KPP dhe Konkurrencën

Shkruar nga Newsbomb
Dështon thirrja ndërkombëtare për Korpusin e Institucioneve
Ilustrim fotografik gjeneruar me Inteligjence Artificiale

Korporata e Investimeve Shqiptare, një shoqëri tregtare aksionere me kapital 100% shtetëror, e cila ka si aksioner të vetëm ministrinë përgjegjëse për ekonominë të Republikës së Shqipërisë, ka njoftuar sot, më 6 Korrik, anulimin e procedurës për Korpusin e Institucioneve të Pavarura.

Dy muaj më parë, ky institucion vendoi të shpallte thirrjen për një çift konkursi ndërkombëtar për projekt-ide dhe zhvillim të një hapësire shtetërore me sipërfaqe rreth 20,350 m² në zonën e njohur si ish-Fusha e Aviacionit në Tiranë, përcjell newsbomb.al.

Sipas të dhënave të analizuara dhe nga databaza "Open Data Albania", Korpusi synonte të akomodonte minimalisht gjashtë institucione të pavarura shtetërore me të cilat Korporata ka lidhur një marrëveshje të posaçme bashkëpunimi.

Dështon thirrja ndërkombëtare për Korpusin e Institucioneve

Konkretisht INSTAT, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Autoriteti i Konkurrencës dhe Komisioni i Prokurimit Publik, me rreth 646 punonjës shtetëror.

Korpusi i Institucioneve të Pavarura synohet të ndërtohet në pronë shtet, për të cilën Korporata ka marrë të drejtën dhe autorizim për zhvillimin e një godine me funksione kryesisht administrative me sipërfaqe totale bruto prej rreth 20,350 m².

Dështon thirrja ndërkombëtare për Korpusin e Institucioneve

Mirëpo, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të aplikimeve që në fazën e parë të procesit, newsbomb.al raporton se Korporata e Investimeve Shqiptare ka vendosur të bëjë anulimin e thirrjes ndërkombëtare.

"Për shkak të numrit të pamjaftueshëm të aplikimeve të dorëzuara për Fazën I të procedurës konkurruese, të përcaktuar në Dokumentin e Kualifikimit", thuhet në arsyen e anulimit.

Më datë 30 prill 2026, Korporata e Investimeve Shqiptare ka publikuar njoftimin e procedurës për përzgjedhjen e Partnerit Privat për zbatimin e kontratës “Projektimi dhe zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i objektit multi-funksional në Njësinë Administrative nr. 7, zona urbane e ish-Fushës së Aviacionit, Tiranë”.

Ndërsa, sot më 6 Korrik 2026, është publikuar në Buletin njoftimi i Korporatës për anulimin e procedurës për përzgjedhjen e Partnerit Privat për zbatimin e kontratës “Projektimi dhe zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i objektit multi-funksional në Njësinë Administrative nr. 7, zona urbane e ish-Fushës së Aviacionit, Tiranë”.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese