Vetëm pak orë pasi kryeminsitri Edi Rama hodhi poshtë pretendimet e deputetes Marjana Koçeku se ai u ka premtuar banorëve se ndërtimet pa leje do të legalizoheshin, nuk ka vonuar reagimi i kësaj të fundit.
Përmes një video-mesazhi të ndarë në rrjet, Koçeku me ironi zbulon suksesin e ‘’Paketës së Maleve’’, duke shtuar se banorëve të zonës akoma nuk u njihet e drejta e pronësisë për tokat e kullat e tyre.
Ndërsa shton se suksesi i këtij projektligji do të dalë në pah vetëm kur banorëve t’u njihet e drejta mbi tokën truall, mbi tokën bujqësore, pyjore dhe bjeshkët që kanë shfrytëzuar ndër shekuj e i kanë trashëguar.
‘’Dua të flas për suksesin e “Paketës së maleve” kur atyre banorëve që kanë shekuj që jetojnë në ato zona akoma nuk u njihet e drejta e pronësisë mbi tokat e kullat e tyre.
Kur nuk ka akoma rrugë kryesore të asfaltuar, as ndërlidhje mes fshatrave, kur nuk po mbrohet as nuk mbështetet kurrsesi blegtoria e tyre, kur ndërtimi i një stani ka burokraci si me qenë duke ndërtuar një shtëpi, kur kullat e trashëguara me shekuj po shemben sepse nuk kanë as mbështetje e as tituj pronësie. Si mundet të funksionojë kur bizneset janë të detyruar të ndezë gjeneratorë tre muajt e verës për të mbijetuar.
Nëse u njihet e drejta këtyre banorëve mbi tokën truall, mbi tokën bujqësore, pyjore dhe bjeshkët që kanë shfrytëzuar ndër shekuj e i kanë trashëguar, atëherë mund të flasim për suksesin e ‘Paketës së Maleve’’’ shprehet Marjana Koçeku në videon e publikuar pasditen e kësaj të marte në rrjet.

