Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Rikthehet dosja Black Eagle! Ferhati: Ky është operacioni historik i SPAK, biznesmenët trafikuan mbi 6.7 ton kokainë

Shkruar nga Newsbomb
Rikthehet dosja Black Eagle! Ferhati: Ky është operacioni historik i
 

Gazetari Eni Ferhati, i ftuar në Euronews Albania ka folur për operacionin e SPAK, nga i cili u lëshuan 20 masa siguria, nga të cilat 15 arrest me burg ndërsa 5 arrest në shtëpi, ku biznesmenë të fushës së ndërtimit dhe fusha të tjera dyshohen si pjesë e skemës së pastrimit të parave.

Ai theksoi rëndësinë e këtij operacioni duke e cilësuar si më të madhin në historikun gjashtëvjeçar të Prokurorisë së Posaçme, për shkak të përmasës, emrave të hetuar dhe masave të sigurisë të vendosura.

Sipas tij operacioni lidhet drejtpërdrejt me realitetin shqiptar të viteve të fundit, ku çmimet e ndërtimit dhe apartamenteve në Tiranë kanë pasur luhatje të pashpjegueshme. Ferhati theksoi se kjo dosje jep një indicie që këto çmime janë rritur për shkak të parasë së pisët, pra parave të ardhura nga trafiku i drogës dhe të investuara në ndërtim.

Ky është një operacion që patjetër mund të cilësohet ndoshta edhe më i rëndësishmi i historikut gjashtëvjeçar të Prokurorisë së Posaçme, qoftë për nga përmasa, emrat të cilët janë hetuar dhe për të cilët ka masa sigurie, por edhe për një realitet shqiptar gjatë viteve të fundit ku çmimet e ndërtimit kishin një luhatje të pallogjikshme dhe me sa duket ka një shpjegim ose të paktën SPAK deri në këto momente me anë të kësaj dosjeje, e cila sigurisht është në fazat e saj fillestare, na jep një indicie që ndoshta vërteton deri diku edhe një pretendim që është ngritur më herët: që çmimet e apartamenteve apo ndërtimit në Tiranë rriten për shkak të parasë së pisët.

Bëhet fjalë për një operacion i cili është zhvilluar në disa qytete. Janë 20 masa sigurie, 15 arrest me burg, pesë arrest në shtëpi. Janë ekzekutuar disa prej masave të sigurisë, ndërkohë që disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Pra, 20 masa në total. Kryesisht masat arrest në shtëpi janë dhënë për biznesmenët të cilët dyshohet që janë pjesë e skemës së pastrimit të parave. Nuk bëhet fjalë vetëm për biznesmenë në fushën e ndërtimit. Ka edhe biznesmenë në fusha të tjera.”- tha Eni Ferhati

Ferhati nënvizon se hetimet janë të lidhura me dosje të vjetra, si ajo e njohur si Black Eagle, ku trafikantë shqiptarë diskutonin për trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Ai shtoi se hetimet janë bazuar në transkriptimet e aplikacionit SkyECC, ku trafikantët flisnin hapur për pastrimin e parave në Shqipëri dhe lidhjet e tyre me biznesmenë të fuqishëm. Kjo tregon, sipas tij, se krimi i organizuar ka depërtuar në biznese të ligjshme dhe të konsoliduara në tregun shqiptar.

Dosja në fakt është një bashkim i disa procedimeve penale, kryesisht procedimeve që kanë të bëjnë me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Është bashkëpunuar me autoritetet e huaja, ndërkohë që është bashkuar sipas informacioneve edhe me një dosje shumë të vjetër, e cila fillimisht është hetuar nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda. Bëhet fjalë për një material i cili ka mbërritur nga autoritetet spanjolle lidhur me atë çka quhet dosja Black Eagle, ku një përgjim i autoriteteve zbatuese të huaja zbuloi se si disa trafikantë shqiptarë në ishullin e Arubës diskutonin, por edhe jo vetëm, edhe në vende të tjera apo zona si Monako e të tjera me radhë, për trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kryesisht nga Amerika Latine drejt vendeve europiane, kryesisht Holandës dhe Belgjikës.

Kryesisht hetimet dhe indiciet për regjistrimin e veprimeve penale kanë ardhur nga transkriptimet në aplikacionin SkyECC, pikërisht të trafikantëve të drogës, të cilët kanë komunikuar lirshëm në Sky se si do t’i pastronin paratë në Shqipëri, duke treguar se si ata kishin arritur të krijonin kontakte me biznesmenë të fuqishëm. Shqetësimi real që kjo dosje përcjell, por që edhe pak muaj më parë SPAK na e tregoi në raportin e përgjithshëm, është fakti se bota e krimit, grupet e strukturuara kriminale, kanë arritur të penetrojnë në biznese të ligjshme, të cilat nuk janë biznese me një historik afatshkurtër, por janë biznese që kanë një kohë shtrirje të gjatë në tregun shqiptar, kanë kryer ndërtime të shumta, kompani me histori e të tjera me radhë.

Në total dyshohet që këto grupe kriminale janë disa nën-grupe kriminale që kanë bashkëpunuar. Kjo është vetëm një prej episodeve, 441 kg kokainë, por në total dyshohet që janë rreth 6.7 ton që këto grupe kriminale kanë nisur nga Amerika Latine drejt vendeve europiane dhe bëhet fjalë vetëm për sasi të sekuestruara, sepse mund të ketë sasi të tjera të cilat nuk janë evidentuar.

Kemi të paktën mbi 20 ose deri në 30 milionë euro pasuri që janë sekuestruar pikërisht personave që janë identifikuar si krerët e grupeve kriminale që kanë trafikuar kokainë dhe më pas i kanë investuar paratë e tyre në kompani të ligjshme apo për investime në ndërtim. Bëhet fjalë këtu jo vetëm për llogari bankare, janë rreth 336, por edhe aksione në kompani, automjete luksoze, madje edhe mjete motorike shumë të shtrenjta luksoze, detare, sipërfaqe toke dhe apartamente, garazhe dhe njësi shërbimi, si edhe vila në zonat nga më luksozet, kryesisht në bregdetin e jugut dhe rivierën e jugut, pra në Palas e të tjera me radhë, zona ekskluzive deri diku, meqë jemi edhe te terminologjia e Zvërnecit apo edhe e Rjollit. Ndërkohë kemi edhe një sekuestrim, sepse dosja që ka nisur, hetimi që ka nisur SPAK lidhur me atë që njihet si dosja e Zvërnecit, lidhet edhe me këtë dosje për shkak jo vetëm të emrave, por edhe disa të dhënave hetimore që kanë dalë. Me sa duket ka dyshime nga dy prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Elida Kaçkini, si edhe Artur Sheu, i cili po hetohet në një dosje tjetër lidhur me tjetërsimin e pronave në zonën e Zvërnecit. Në këtë dosje dyshohet nga SPAK si person i cili ka pasur rol kryesor në trafikimin e lëndëve narkotike dhe përmendet pikërisht edhe takimi i Arubës apo në Monako dhe zona të tjera.”- tha Ferhati për Euronews Albania.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese