Janë bllokuar nga Policia Kufitare dy mjete kundruese Jet Ski si dhe janë ndaluar drejtuesit e tyre të cilët u rrezikuan jetën pushuesve në Sarandë, ku shkelën perimetrin e sigurisë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Policia Kufitare ka ndaluar dy qytetarët që lëviznin me Jet Ski, konkretisht shtetasit R. A. dhe R. P., të cilët thuhet se kanë marrë dhe gjobë nga 500.000 lekë secili.
“Në përfundim të veprimeve administrative, të dy mjetet lundruese u shoqëruan dhe u bllokuan në Portin e Sarandës, ndërsa ndaj poseduesve, shtetasve R. A. dhe R. P., u vendosën masa administrative me vlerë 500.000 lekë të rinj, secilit” njofton Policia.
Ndërsa bëhet me dije se mjetet lundruese janë sekuestruar. Nga ana tjetër blutë bëjnë thirrje për drejtuesit e mjeteve lundruese që të respektojnë rregullat e caktuara e të mos rrezikojnë pushuesit.
Kujtojmë se 22-vjeçari Albiano Kreçi humbi jetën tragjikisht teksa lundronte në Ksamil me "Jet Car".
Ngjarja tragjike ndodhi mesditën e 15 qershorit, kur Kreçi ishte duke lundruar me një mjet tip “Jet Car”, ne momentin kur dyshohet se u përplas me një skaf të Policisë Kufitare të Sarandës e cila ndodhej në shërbim dhe monitorim të hapësirës detare, rreth 400 metra larg bregut.
Fatkeqësisht kjo përplasje rezultoi të ishte fatale për të riun. Ishin efektivët e policisë dhe personat e tjerë që ndodheshin në afërsi të vendit të ngjarjes ata të cilët ndërhynë për të nxjerrë 22-vjeçarin nga deti.
Menjëherë ai u transportua me urgjencë në spitalin e Sarandës, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra nga përplasja.
Njoftimi i Policisë:
Siguria Detare në fokus
Sarandë/Shkelën perimetrin e sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve, Policia Kufitare bllokon 2 mjete lundruese (Jet Ski) dhe ndëshkon drejtuesit me masë administrative nga 500.000 lekë të rinj.
Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.
Gjatë patrullimit në zonën e Gjirit të Sarandës, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues (Jet Ski) që ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
Gjithashtu, po gjatë patrullimit, në zonën e Gjirit të Ksamilit, u konstatua edhe një tjetër mjet lundrues (Jet Ski) që kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në kundërshtim me rregullat e lundrimit.
Në përfundim të veprimeve administrative, të dy mjetet lundruese u shoqëruan dhe u bllokuan në Portin e Sarandës, ndërsa ndaj poseduesve, shtetasve R. A. dhe R. P., u vendosën masa administrative me vlerë 500.000 lekë të rinj, secilit.
Policia e Shtetit apelon ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit.
