Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg" për Granit Pepnikën, i cili u arrestua të premten në Dhërmi, pasi dyshohet se është "truri" i mashtrimeve me Call Center ndaj shtetasve europianë. Pepnika akuzohet për veprën penale "Mashtrim kompjuterik".
Po ashtu, Gjykata vendosi të njëjtën masë sigurie, "Arrest në burg", edhe për shtetasin Xhoni Hitaj, i akuzuar gjithashtu për veprën penale "Mashtrim kompjuterik", si dhe për shtetasin Redion Rexhmati, i cili akuzohet për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit", pasi në momentin e arrestimit ndodhej së bashku me Pepnikën.
Granit Pepnika dhe Xhoni Hitaj ishin shpallur në kërkim policor që prej muajit prill, pasi Gjykata e Tiranës kishte caktuar më herët ndaj tyre masën e sigurisë "Arrest në burg", në kuadër të hetimeve për mashtrimet kompjuterike.
Të tre personat u arrestuan tre ditë më parë në zonën e Drimadhës, ku efektivët e Policisë, të veshur me rroba plazhi, ndërhynë për arrestimin e Pepnikës.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e dyshuar kriminal, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë skemë.
