Policia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht në lidhje me vrasjen që ndodhi paraditen e sotme në rrugën “Dervish Luzha”, në zonën e Paskuqanit në Kamëz, ku viktimë ka mbetur i riu Ardian Baloshi.
Policia bën me dije se pas një konfliktit për motive të dobëta, Sadik Llani ka qëlluar nga makina e tij me armë zjarri 27-vjeçarin Ardian Baloshi. Ky i fundit është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës, por ka humbur jetën rrugës.
Po ashtu në njoftimin shtohet se janë angazhuar forca të shtuara policore në terren dhe po zhvillohen kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e 39-vjeçarit Sadik Llani.
Gjithashtu “blutë” e Tiranës theksojnë se nuk persona të tjerë të dëmtuar nga kjo ngjarje e rëndë, teksa hetimet për zbardhjen e saj vijojnë.
Njoftimi i policisë:
Sot, rreth orës 11:25, është marrë njoftim se në spital është transportuar pa shenja jete shtetasi A. B., rreth 27 vjeç.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para hetimore. Nga provat e administruara deri në këto momente, dyshohet se shtetasi A. B, është qëlluar me armë zjarri në rrugën “Dervish Luzha”, në Kamëz, pas një konflikti për motive të dobëta.
Si autor i dyshuar i ngjarjes është identifikuar shtetasi S. Ll., rreth 39 vjeç. Menjëherë janë ngritur pika kontrolli në akset kryesore rrugore, janë angazhuar forca të shtuara policore në terren dhe po zhvillohen kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë ligjore.
Sqarojmë se nuk ka shtetas të tjerë të dëmtuar nga kjo ngjarje.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për kapjen e autorit dhe do t’ju informojmë në vijim për çdo gjë që lidhet me këtë ngjarje.



