Një sulm i koordinuar me bomba artizanale ndodhi ditën e sotme në Selanik ku në shënjestër ishin banesat e tre zyrtareve ne partisë greke Demokracia e Re.
Objektiva ishin përkatësisht banesa e e kryetarit të Komitetit Drejtues të Demokracisë së Re në Selanik, Zisis Ioakimovic, ish-deputetit Savvas Anastasiadis dhe politikanes Aphrodite Nestora.
Nga ky sulm katër persona janë plagosur edhe një grua 72-vjeçare e cila ishte nëna e politikanes Aphrodite Nestora, ka humbur jetën në spital pasi pësoi djegie të rënda në të gjithë trupin dhe dëmtim të organeve. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve, e moshuara nuk ka mundur t'i mbijetojë plagëve.
Vetë Nestora mori djegie të lehta në gjymtyrë, ndërsa babai i saj dhe dy banorë të tjerë të pallatit u dërguan në spital me probleme në frymëmarrje si pasojë e tymit.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis e cilësoi ngjarjen si dëshmi të “natyrës vrasëse dhe çnjerëzore të dhunës së verbër” dhe bëri thirrje për zero tolerancë ndaj terrorizmit. Ai theksoi se stabiliteti dhe siguria janë shtylla të demokracisë dhe se dhimbja e kësaj tragjedie duhet të kthehet në forcë për shoqërinë.
