Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për lirim të përkohshëm të ish-presidentit të Kosovës nga burgu. Sipas kryeprokurores ameriakne, Kimberly West, ish-presidenti Thaçi duhet të mbetet në paraburgim.
“Përparimi i vazhdueshëm dhe i shpejtë i këtij procesi gjyqësor, përfshirë afatin kohor për çdo mocion përfundimtar lidhur me provat, gjithashtu mbështet vazhdimin e paraburgimit të THAÇIT”, thuhet në shkresën e West.
Gjithashtu, prokurorja amerikane ka përmendur rrezikun për kryerjen e veprave të tjera penale dhe ndërhyjen në procedura.
“Konstatimet e vazhdueshme mbi ekzistencën e rreziqeve sipas nenit 41(6)(b) që i atribuohen THAÇIT në këtë çështje mbeten të vlefshme. Ato janë bërë mbi bazën e një numri të madh faktorësh të arsyetuar dhe të individualizuar, dhe asnjë kusht i mundshëm për lirimin e tij nuk mund t’i zbusë ato në mënyrë të mjaftueshme”, shkruan dokumenti i ZPS-së.

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Gjykata Speciale në Hagë , lirimin e tij me kusht. Në kërkesë thuhet se ish-presidenti Thaçi nuk paraqet rrezik të arratisjes dhe se ai ka ofruar garanci financiare 50 mijë euro për të siguruar lirimin.
Në kërkesë mes tjerash, po ashtu bëhet e ditur edhe për kushtet të cilat, ish-presidenti, është i gatshëm t’i pranojë. Aty, përveç garancisë prej 50 mijë eurosh, thuhet se, Hashim Thaçi, s’do të largohet nga territori i Kosovës, dhe se ai, do të dorëzojë pasaportën dhe çdo dokument tjetër udhëtimi.
Po ashtu, thuhet se, Hashim Thaçi do të përmbahet nga bërja e çdo deklarate publike, drejtpërdrejt ose tërthorazi në media dhe, ose në rrjetet sociale, si dhe, ai nuk do të diskutojë përmbajtjen e çështjes së tij me askënd, përveç anëtarëve të caktuar të ekipit të tij mbrojtës.
