Detaje të reja janë mësuar një ditë pas arrestimit të Moisi Habilajt në Borsh, një prej emrave më të njohur të dosjeve të trafikut ndërkombëtar të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë.
Policia e Shtetit ka zbardhur rrethanat e operacionit që çoi në kapjen e 48-vjeçarit, i cili kërkohej për t’u ekstraduar në Itali, ku është dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar Habilaj u lokalizua në një lokal në Borsh gjatë operacionit të koduar “Metodat”, të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale. Autoritetet bëjnë me dije se ai është dënuar nga Gjykata e Katanias me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burg për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Paralelisht ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e vendosur nga Gjykata e Krimeve të Rënda më dhjetor 2018. Habilaj akuzohet për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, “Trafikim të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe Eduard Ahmeti, 46 vjeç, banues në Sarandë, ndërsa një shtetas italian me inicialet S.F., 70 vjeç, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Arrestimi i Habilajt u bë publik mbrëmjen e së premtes, ndërkohë që burime për mediat bëjnë me dije se ai ishte lokalizuar në një beach bar në Borsh, në pronësi të familjarëve të tij. Sipas të njëjtave burime, në momentin e ndërhyrjes së policisë, Habilaj mbante kapele dhe kishte lënë mjekër, në një përpjekje për të shmangur identifikimin.
Moisi Habilaj konsiderohet si figura qendrore e një prej dosjeve më të bujshme të trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë. Ai është shpallur fajtor për katër episode trafikimi droge gjatë viteve 2013-2017. Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme e dënoi me 15 vite burg, dënim që iu reduktua në 10 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Ndërkohë në vitin 2021 Gjykata e Apelit e Katanias e dënoi përfundimisht me 15 vite e 5 muaj burg. Në të njëjtin proces u dënuan edhe disa bashkëpunëtorë të tij, mes tyre Meridian Sula, Nezar Seiti, Antonino Riela, Vinccenso Spanpinato, Angjelo Buzaka, Xhanluka Pasavanti dhe Xhuzepe Greko.
Vendimi përfundimtar erdhi pasi më herët Habilaj kishte përfituar ndryshimin e masës së sigurisë nga burg në arrest shtëpie. Megjithatë kur u shpall dënimi ai nuk u gjet në banesën e deklaruar në Raguzë të Italisë, pronë e vëllait të tij, duke rezultuar i arratisur.
"Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe në përdorimin e metodave speciale të hetimit për zbulimin dhe lokalizimin e një personi shumë të kërkuar nga autoritetet italiane, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metodat”, u bë i mundur lokalizimi në një lokal në Borsh, kapja dhe arrestimi provizor i shtetasit Moisi Habilaj, 48 vjeç, banues në Babicë e Vogël, Vlorë.
Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Katanias, Itali, me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Po ashtu, ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar me vendimin nr. 192, datë 26.12.2018, të Gjykatës së Krimeve të Rënda, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi italian S.F., 70 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.", thuhet në njoftimin e Policisë.
