Deputeti socialist Pirro Vengu i ftuar në A2CNN foli mbi protestat ku theksoi se distancohet nga koncepti i “Shqipërisë së re” dhe thekson se beson te “Shqipëria e fortë”.
Vengu tha se duke qenë përfaqësues i Vlorës, e sheh qytetin si ilustrim të transformimit ekonomik dhe zhvillimor. Ai shtoi se vendi përballet me sfida të reja, si ato teknologjike dhe të sigurisë, por edhe me presione gjeopolitike.
"Pikërisht sepse jam përfaqësues i Vlorës dhe e njoh terrenin, përfaqësoj ata njerëz dhe zemërimet e tyre. Ata e dinë shumë mirë që ka një ndryshim rrënjësor në realitetin e Vlorës sot, si në rrafshin ekonomik, në rrafshin e zhvillimit, ashtu edhe në rrafshin e perspektivave të reja pas “Republikës së re”. Jo, unë nuk besoj te “Shqipëria e re”, unë besoj te “Shqipëria e fortë”. Shqipëria e fortë është ajo që më intereson.
Nuk mund të jemi peng të së kaluarës. Duhet të kemi debatin e së ardhmes. Kemi sfida teknologjike, kemi sfida të natyrës së sigurisë. Vendi është në qendër të një përpjekjeje gjeopolitike.", tha Vengu.
Ai tregoi masat kontrete që janë marrë duke sjellë shembullin e të ardhurave shtesë nga inflacioni i hidrokarbureve, të cilat qeveria i ka orientuar drejt mbështetjes së familjeve me fëmijë me aftësi të kufizuara dhe pensionistëve. Vengu u shpreh i bindur se qeveria kërkon të fitojë besimin e qytetarëve jo përmes fjalëve, por përmes punës, llogaridhënies dhe reflektimit.
"Ja një shembull. Ju thoni se qeveria nuk reflekton, nuk dëgjon. Çfarë bëri qeveria sot? Qeveria shqiptare, të gjitha të ardhurat që kanë ardhur si pasojë e inflacionit të hidrokarbureve nga lufta në Ukrainë, i ka orientuar jo vetëm drejt buxhetit, por për një kërkesë absolutisht emergjente. Nuk ka nevojë ta përqeshim, sepse të gjithë jemi të prekur. Të gjithë kemi familjarë, prindër që kanë sakrifikuar dhe marrin një pension shumë modest, që nuk e meritojnë.
Tani, çfarë bën qeveria shqiptare? Të gjitha të ardhurat shtesë në buxhetin e shtetit shkojnë për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara dhe për personat që kanë nevojë për mbështetje. Shkojnë për një bonus për pensionistët, absolutisht modest, por absolutisht i nevojshëm. Kjo është pra një qeveri që kërkon ta fitojë me shumë mund dhe punë besimin e qytetarëve dhe ta rrisë atë përmes llogaridhënies dhe reflektimit.", u shpreh deputeti socialist Pirro Vengu për A2CNN.
