Janë zbardhur detaje nga seanca gjyqësore që po mbahet sot në GJKKO në lidhje me dosjen “Partizani”, ku mësohet se ish-ministri i mbrojtjes Gazmend Oketa ka hedhur poshtë pretendimet se Klubi ka pasur interes për Ministrinë.
Asokohe kur ai ka qenë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes dhe jo të Sportit, Oketa është shprehur se klubi ka qenë privat, ndërsa thekson se ai nuk e ka konsideruar atë si institucion.
“Në kujtesën time, Klubi Partizani ka pasur zero interes për Ministrinë e Mbrojtjes. S’më kujtohet të kishte interes të veçantë. Në dijeninë time administrohej nga persona privatë. Pothuajse në asnjë nga diskutimet apo mbledhjet nuk mbaj mend të ketë pasur një zë që ky klub të zinte një vend të veçantë në Ministrinë e Mbrojtjes” tha Oketa para togave të zeza.
I pyetur nnë lidhje me vlerësimin e pronës, ish-ministri i mbrojtjes pretendon se nuk mban mend të ketë firmosur dokumente në lidhje me këtë çështje. Ndërsa shtoi se nëse dalin dokumente që janë firmosur nga ai, do të mbajë përgjegjësi.
“Unë nuk kujtoj të kem autorizuar ndonjë ushtarak në lidhje me këtë çështje. Kanë kaluar 18 vjet nga ajo kohë, por nëse keni ndonjë dokument me firmën time, unë jam i gatshëm t’i dal për zot” ka shtuar Oketa.
Ashtu siç raportua dhe mëngjesin e sotëm, SPAK ka kërkuar të ketë dëshminë e Gazmend Oketës në lidhje me dosjen “Partizani”.
Kujtojmë se ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohen për korrupsion për çështjen "Partizani".
Diskutimet e bëra në sallën e gjyqit:
SPAK: Kur ke qenë ministër i Mbrojtjes dhe çfarë funksionesh ke pasur?
Oketa: Kam qenë zëvendëskryeministër, më pas mora detyrën e ministrit të Mbrojtjes. 2009-2012 kam qenë deputet i Kuvendit.
SPAK: Çfarë ishte Klubi Partizani në raport me Ministrinë e Mbrojtjes?
Oketa: Në kujtesën time, Klubi Partizani ka pasur zero interes për Ministrinë e Mbrojtjes. S’më kujtohet të kishte interes të veçantë. Në dijeninë time administrohej nga persona privatë. Pothuajse në asnjë nga diskutimet apo mbledhjet nuk mbaj mend të ketë pasur një zë që ky klub të zinte një vend të veçantë në Ministrinë e Mbrojtjes.
SPAK: Në kohën kur ishe ministër i Mbrojtjes ke nisur zbatimin e VKM-së së qeverisë për klubin.
Oketa: Kam qenë ministër i Mbrojtjes dhe jo ministër i Sportit. Nuk kishte vend të veçantë për ne, sepse nuk ishte një vend që mund të përdorej për Ministrinë e Mbrojtjes. Klubi Partizani, në kujtesën time, ka qenë një klub privat. Unë as e kam konsideruar fare. Një institucion kulturor nuk e bën godina, por puna.
SPAK: Jeni interesuar për pronën, duke qenë se ishte në varësinë tuaj?
Oketa: Për herë të parë në tavolinën time kjo çështje më ka ardhur në zyrë. Praktika ishte që ajo pronë ishte e pronarëve. Praktika ishte e plotë dhe ata kishin bërë edhe pagesën. Nuk kisha asnjë arsye pse ta mbaja atë pronë në varësi.
SPAK: Kush e kishte në inventarizim?
Oketa: Emri i saktë s’më kujtohet, i drejtorisë, por është një drejtori që ekziston edhe sot e kësaj dite.
Oketa: Edhe sot, nëse shikoni faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, keni një sektor ku flitet për pronat dhe ne ende dhe sot nuk kemi një inventar të pronës. Kishte ushtarakë që e kundërshtonin, meqë kishte ardhur përgjigjja nga Këshilli i Ministrave, atëherë unë u kam dhënë direktivën që të ndiqen të gjitha procedurat ligjore në fuqi, për sa kohë pronarët me dokumenta të shtetit lidhur me këtë çështje. E theksoj edhe një herë: nuk ka pasur interes për Ministrinë e Mbrojtjes.
SPAK: A keni pasur përfaqësues të Ministrisë kur është bërë vlerësimi?
Oketa: Unë nuk kujtoj të kem autorizuar ndonjë ushtarak në lidhje me këtë çështje. Kanë kaluar 18 vjet nga ajo kohë, por nëse keni ndonjë dokument me firmën time, unë jam i gatshëm t’i dal për zot.
Ministria e Mbrojtjes ka pasur 12 mijë veta personel, civil dhe ushtarak. Nëse ju pretendoni që ministri duhet të kujdeset për çdo gjë, atëherë stafi duhet të ikë në shtëpi. Futem tek ato politika që kam firmosur shumë delegime kompetencash, mund t’i shikoni tek dokumentat.
