Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi ditën e djeshme se Irani ka kërkuar një takim, që do të mbahet sot në Katar, pavarësisht se Teherani vazhdon të mohojë se janë planifikuar negociata të drejtpërdrejta me Uashingtonin për një marrëveshje që synon t'i japë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
Deklarata e Trump erdhi pasi Irani zhvilloi bisedimet e para me Omanin për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit që nga arritja e marrëveshjes SHBA-Iran. Ndërkohë, Uashingtoni dhe Teherani kanë rënë dakord të ndalojnë sulmet ndaj njëri-tjetrit.
"Irani ka kërkuar një takim. Ai do të mbahet nesër në Doha!” shkroi Trump të hënën në platformën e tij Truth Sociali.
Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, deklaroi se një delegacion ekspertësh iranianë do të udhëtojë drejt Dohas gjatë kësaj jave, por mohoi kategorikisht se është planifikuar një takim me përfaqësues amerikanë.
"Ende nuk kemi hyrë në fazën e negociatave për një marrëveshje përfundimtare," tha ai, duke vënë në dukje se "gjatë ditëve në vijim, nuk do të kemi takime negociuese me palën amerikane në asnjë nivel."
