Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka reaguar ndaj pamjeve që janë bërë publike pasditen e kësaj të enjte në një nga rrugët e Tiranës, dhe që ka gjetur shpërndarje të gjerë në mediat sociale, ku një qytetarë ndalohet befasisht nga persona të veshur me rroba civile.
Pamjet janë shpërndarë dhe nga gazetari i njohur Mentor Kikia, shoqëruar me një pyetje publike për ministrin e Brendshëm, ndërsa ndalimin e qytetarit në mes të rrugës e cilëson si terror.
"Mblidhni mendjen se keni rreshkitur fare. Ju jane errur syte. Si mundet, qe dy civile te pa identifikuar, te marrin me dhune nje njeri ne rruge, ne mes te qytetareve qe shastisen. Sepse ky ishte nje aktivist proteste", shkruan ndër të tjera gazetari.
Nisur nga interesi i lartë dhe viraliteti i pamjeve, ministri Besfort Lamallari i është përgjigjur drejtpërdrejt gazetarit Mentor Kikia, duke evidentuar se dy personat me rroba civile janë në fakt agjentë të Departamentit të Policisë Kriminale.
Ai thotë se gazetari po relativizon dhunën në protestë dhe kjo sipas ministrit, është një nga format më të shëmtuara të nxitjes së saj.
"Personat që shoqërojnë qytetarin e shfaqur në videon e publikuar janë punonjës të Policisë së Shtetit, me detyrë agjentë të Policisë Kriminale në një nga Komisariatet në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Nga analizimi i pamjeve filmike të administruara, janë identifikuar persona të cilët, gjatë protestës, kanë goditur me sende të forta punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin në krye të detyrës. Si pasojë e këtyre sulmeve janë dëmtuar 6 punonjës policie, 3 prej të cilëve kanë pësuar dëmtime më të rënda fizike", sqaron ministri.
Sipas Besfort Lamallarit, në përmbushje të detyrave funksionale dhe në zbatim të ligjit, punonjësit e Policisë Kriminale kanë të drejtë të mbajnë në vëzhgim persona të dyshuar për përfshirje apo mbështetje të akteve të dhunshme gjatë tubimeve, si dhe, në momentet e përshtatshme operative, të kryejnë shoqërimin e tyre për veprime të mëtejshme procedurale.
"Punonjësit e Policisë, në momentet e para të ndërhyrjes, i janë prezantuar personit të shoqëruar si agjentë të Policisë Kriminale. Pretendimet për ushtrim “terrori”, të paraqitura në videon e publikuar, nuk qëndrojnë", shton ai, duke theksuar se agjentët kanë vepruar në përputhje me procedurat standarde të punës dhe protokollet për menaxhimin dhe garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimeve.
