Në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV, debati mes analistit Andi Bushati dhe sekretarit të përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, u tensionua rreth projektit të investimit në Zvërnec.
Diskutimi për investimet e huaja në Shqipëri u kthye në përplasje mes Bushatit dhe Klosit. Analisti akuzoi se tokat në Zvërnec janë përfituar në mënyrë të paligjshme me ndihmën e bandave dhe hipotekës, ndërsa Klosi mbrojti projektin duke theksuar se investitori ka shpenzuar 300 milionë euro për blerjen e tokës dhe se po punohet për ta kthyer në një projekt konkret turistik.
“Investitorët e huaj deri tani kanë konsumuar në Zvërnec 300 milionë euro. Pra kemi një investitor që ka blerë tokë private dhe jo shtetërore. Ky është një projekt që do ta vendosë Shqipërinë në një nyje tjetër turistike.”- tha Blendi Klosi
Nga ana tjetër Bushati e sheh projektin si shembull të kapjes së shtetit dhe bashkëpunimit me oligarkinë, duke e cilësuar blerjen e tokave si të paligjshme.
“Në toka të vjedhura me ndihmën e hipotekës së Edi Ramës. Shteti është bërë partner me banditët për të vjedhur tokat. Ju doni të bëni Trumpin partner të Artur Shehut dhe më tregoni mua zhvillimin.”- tha Bushati.
