Ylli Manjani në Euronews Albania e përshkruan jetën e tij gjatë revolucionit si një periudhë të mbushur me varfëri, mungesë të lirive dhe dhunë. Ai kujton se ka jetuar pa rroba, me një palë këpucë për vite, pa pronë private dhe me ndalimin e fesë. Kjo përvojë personale shërben si argument se revolucioni nuk sjell drejtësi, por shkatërrim dhe poshtërim. Manjani tha se thirrjet për revolucion sot janë një fatkeqësi politike. Revolucioni, sipas tij, është një “fabrikë dhune” që, pavarësisht qëllimeve të mira, përfundon duke etiketuar dhe ndëshkuar njerëzit: biznesmenët quhen oligarkë, ata që ndërtojnë kulla quhen trafikantë, ata që kanë pak pasuri quhen të korruptuar. Pra, revolucioni nuk sjell zgjidhje, por kthen shoqërinë te “barku bosh”.
“Nëse bëhen thirrje për revolucion dhe ai duhet të vazhdojë, kjo është fatkeqësia më e madhe politike për një shoqëri. Revolucioni është një fabrikë dhune, pavarësisht sa i mirë mund të duket qëllimi, pavarësisht sa të rinj apo gra marrin pjesë.
Unë jam rritur në revolucion dhe nuk kam pasur rroba për të veshur. Kam jetuar katër vjet me një palë këpucë. Kam përjetuar urrejtjen ndaj fesë dhe Zotit. Kam parë njerëz që u prenë kokat. Kam jetuar në një kohë kur prona private ishte e ndaluar dhe konsiderohej turp të mendoheshe për të. Madje ishte turp edhe të shihje një vajzë në rrugë. Ky ishte revolucioni ku jam rritur, dhe nuk ia uroj askujt.
Brezi i ri, që nuk e di çfarë është revolucioni, le të shkojë në Kubë dhe ta shohë me sytë e vet: njerëz që vuajnë për bukë, që ushqehen me racion të varfër dy herë në ditë. Prandaj unë nuk mendoj kurrë që sot, në vitin 2006, të ndjek dikë që bën thirrje për revolucion.
Sepse çfarë kërkon revolucioni? Të quajë oligark atë që ka një vilë, kulak atë që bën biznes, trafikant droge atë që ndërton kulla, të korruptuar atë që ka disa para. Revolucioni kërkon t’i fshijë të gjitha këto dhe të na kthejë te barku bosh. Kurrën e kurrës nuk do ta pranoj.”- tha Ylli Manjani.
